Gjedhe për asistencë, mendime dhe njoftim të metash

Kur na dërgoni kërkesë për asistencë, mendime apo njoftim të mete, ju lutemi, përfshini sa më shumë hollësi që mundeni:

  1. Sistemi Operativ që po përdorni
  2. Versioni i Shfletuesit Tor
  3. Shkallë Sigurie në Shfletuesin Tor
  4. Përshkrim hap pas hapi se si mbërritët te problemi, që të mund ta riprodhojmë (p.sh., Hapa shfletuesin, shtypa një URL, klikova mbi një mundësi, mandej shfletuesi im u vithis)
  5. Një foto ekrani të problemit
  6. Regjistra konsole në Shfletuesin Tor për Desktop (mund të hapet me Ctrl+Shift+J në Windows/Linux dhe Cmd+Shift+J në macOS)
  7. Regjistra Tor-i (Rregullime > Lidhje > Të mëtejshme > Shihni regjistra Tor-i)
  8. Rajon që nga po lidheni me Tor-in.
  9. Rajonin e përzgjedhur te Asistent Lidhjeje (nëse është një problem që lidhet me Asistent Lidhjeje)
  10. A censurohet Tor-i në rajonin tuaj?
  11. Nëse Tor-i u lidh, sa kohë u desh që të plotësonte nisjen? Ndonjë efekt në shpejtësinë e shfletimit?

Si të lidheni me ne

Ka disa mënyra për t’u lidhur me ne, ndaj ju lutemi, shihni cila është më e mira për ju.

Telegram

Kemi një numër robotësh dhe kanalesh Telegram:

  1. @GetTor_Bot për të shkarkuar Shfletuesin Tor.
  2. @GetBridgesBot për të marrë ura obfs4.
  3. @TorProject për të marrë lajmet më të reja.
  4. @TorProjectSupportBot për ndihmë.
    • Hëpërhë, kanali i asistencës në Telegram funksionon në dy gjuhë: anglisht dhe rusisht.
    • Nëse ju duhet ndihmë për anashkalim censurimi, ju lutemi, përzgjidhni prej menusë së mundësive prej cilit rajon po lidheni, ngaqë do të jetë më e lehtë për ne ta ndjekim.

Forum Tor-i

Rekomandojmë të kërkoni ndihmë te Forumi për Tor-in. Që të hapni një temë të re, do t’ju duhet të krijoni një llogari. Ju lutemi, përpara se të pyesni, shihni udhëzimet tona për diskutime dhe kontrolloni te temat ekzistuese. Hëpërhë, për përgjigjen më të shpejtë, ju lutemi, shkruani në anglisht. Nëse gjetët një të metë, ju lutemi përdorni GitLab-in.

Signal

Mund të merrni ndihmë duke dërguar një mesazh tekst te numri ynë Signal: +17787431312. Signal është një aplikacion shkëmbimi mesazhesh, i lirë dhe me vëmendjen te privatësie. Aktualisht, kanali ynë i asistencës mund të përdoret në anglisht dhe rusisht dhe përqendrohet në ndihmën për përdorues të Tor-it në rajone të censuruara. Shërbimi është i përdorshëm vetëm me mesazhe tekst; nuk mbulohen videot apo thirrjet me zë. Pas dërgimit të mesazhit, operatorët tanë të asistencës do t’ju udhëheqin dhe ndihmojnë të diagnostikoni problemin tuaj.

Email

Dërgonani një email te frontdesk@torproject.org

Te rreshti i subjektit të email-it tuaj, ju lutemi, na tregoni se ç’po raportoni. Sa më specifik të jetë rreshti juaj i subjektit (p.sh. “Dështim lidhjeje”, “mendime mbi sajtin”, “mendime mbi Shfletuesin Tor”, “Më duhet një urë”), aq më e lehtë do të jetë për ne të kuptojmë dhe ta ndjekim problemin. Ndonjëherë, kur marrin email-e pa rreshta subjekti, u vihet shenjë si hedhurina dhe nuk i vëmë re.

Për përgjigjen më të shpejtë, ju lutemi, shkruani në anglisht, rusisht, spanjisht, indisht, banglandeshase dhe/ose portugalisht, nëse mundeni. Nëse asnjë nga këto gjuhë nuk ju bën punë, ju lutemi, na shkruani në çfarëdo gjuhe me të cilën jeni rehat, por kini parasysh se do të na duhet ca më tepër kohë për t’u përgjigjur, ngaqë do të na duhet ndihmë me përkthimin, për ta kuptuar.

IRC dhe Matrix

Mund të na gjeni në kanalin #tor në OFTC ose kanalin e Asistencës për Përdorues të Tor-it në Matrix. Mund të mos përgjigjemi flakë për flakë, por e kontrollojmë regjistrin e bisedës dhe do t’ju përgjigjemi, kur të mundemi.

Mësoni si të lidheni në IRC / Matrix.

GitLab

Së pari, kontrolloni nëse e meta dihet tashmë. Mund të kërkoni nëpër krejt çështjet dhe t’i lexoni ato, te https://gitlab.torproject.org/. Që të hapni një çështje të re, ju lutemi, kërkoni një llogari të re për hyrje te instanca GitLab e Projektit Tor dhe gjeni depon e duhur që të njoftoni problemin tuaj. Krejt çështjet e lidhura me Shfletuesin Tor i ndjekim te ndjekësi i problemeve të Shfletuesit Tor. Probleme që lidhen me sajtet tanë duhen parashtruar nën ndjekësin e çështjeve Web.