Shërbimet Onion (njohur dikur si “shërbime të fshehur”) janë shërbime. bie fjala, sajte, tek të cilët mund të hyhet vetëm përmes rrjetit Tor.
Shërbimet Onion ofrojnë disa përparësi kundrejt shërbimeve të zakonshëm në internetin joprivat:
- Vendndodhja dhe adresa IP e shërbimeve Onion janë të fshehura, duke e bërë të vështirë për kundërshtarët të censurojnë apo të identifikojnë operatorët e tij.
- Krejt trafiku mes përdoruesish të Tor-it dhe shërbimesh Onion është i fshehtëzuar skaj-më-skaj, ndaj nuk ju duhet të vrisni mendjen rreth lidhjes përmes HTTPS-je.
- Adresa e një shërbimi Onion prodhohet automatikisht, ndaj operatorëve s’u duhet të blejnë një emër përkatësie.
- Për shkak të kriptografisë së përdorur, URL-ja .onion e lejon Tor-in të garantojë se është bërë lidhje me vendndodhjen e duhur dhe se te lidhja s’po fut hundët njeri.
SI TË PËRDORET NJË SHËRBIM ONION
Si me cilindo sajt tjetër, do t’ju duhet të dini adresën e një shërbimi Onion, që të mund të lidheni me të. Një adresë Onion përbëhet nga 56 shkronja dhe numra, ndjekur nga “.onion”.
Kur hyni në një sajt që përdor një shërbim Onion, Shfletuesi Tor do të shfaqë te shtylla e URL-ve një ikonë të vockël qepujke, për të treguar gjendjen e lidhjes tuaj: e siguruar dhe duke përdorur një shërbim Onion.
Më tepër rreth shërbimit Onion mund të mësoni duke klikuar mbi ikonën qepë dhe te Shfaqje Qarqesh ngjitur, te shtylla e adresave.
Një tjetër rrugë për të mësuar rreth një sajti Onion është në ka sendërtuar apo jo përgjegjësi i sajtit një veçori të quajtur Onion-Location.
Onion-Location është një krye HTTP jo standarde, që sajtet mund ta përdorin për të bërë të ditur sendërtimin e tyre Onion.
Nëse sajti që po vizitoni ka një version Onion të sajtit, te shtylla e URL-ve të Shfletuesit Tor do të shfaqet një kokërr manushaqe sugjerimi, ku lexohet “ka .onion”.
Kur klikoni mbi “ka .onion”, sajti do të ringarkohet dhe ridrejtohet te versioni Onion.
MIRËFILLTËSIM SHËRBIMI ONION
Një shërbim Onion me mirëfilltësim është një shërbim i ngjashëm me një sajt Onion që lyp që klienti të japë një token mirëfilltësimi, para se të hyjë te shërbimi.
Si një përdorues i Tor-it, mund ta bëni mirëfilltësimin e vetes drejt e te Shfletuesi Tor.
Që të mund të përdorni këtë shërbim, do t’ju duhet kredenciale hyrjeje prej operatorit të shërbimit Onion.
Kur hyhet në një shërbim Onion me mirëfilltësim, Shfletuesi Tor do të shfaqë te shtylla e URL-ve një ikonë çelësi të vockël gri, shoqëruar nga një ndihmëz.
Jepni kyçin tuaj privat të vlefshëm te fusha përkatëse.
GABIME SHËRBIMESH ONION
Nëse s’lidheni dot me një sajt Onion, Shfletuesi Tor do të shfaqë një mesazh specifik gabimi për t’ju bërë me dije pse s’hyhet dot te sajti.
Gabime mund të ndodhin në shtresa të ndryshme: gabime klienti, gabime rrjeti, ose gabime shërbimi.
Disa nga këto gabime mund të ndreqen duke ndjekur ndarjen Diagnostikim.
Tabela më poshtë shfaq krejt gabimet e mundshme dhe ç’veprime duhet të ndërmerrni për të zgjidhur problemin.
Kod |
Titull Gabimi |
Përshkrim i Shkurtër |
0xF0 |
S’u Gjet Sajt Onion |
Shkaku më me shumë gjasa është që sajti Onion të jetë jashtë pune. Lidhuni me përgjegjësin e sajtit Onion. |
0xF1 |
Sajti Onion S’kapet Dot |
Sajti Onion s’kapet dot për shkak të një gabimi të brendshëm. |
0xF2 |
Sajti Onion Është Shkëputur |
Mundësia më e madhe është që sajti Onion të jetë jo në linjë. Lidhuni me përgjegjësin e sajit Onion. |
0xF3 |
S’arrihet të Lidhet te Sajt Onion |
Sajti Onion është i zënë, ose rrjeti Tor është i mbingarkuar. Riprovoni më vonë. |
0xF4 |
Sajti Onion Lyp Mirëfilltësim |
Hyrja te sajti Onion lyp një kyç, por s’u dha ndonjë i tillë. |
0xF5 |
Mirëfilltësimi me Sajtin Onion Dështoi |
Kyçi i dhënë s’është i saktë, ose është shfuqizuar. Lidhuni me përgjegjësin e sajtit Onion. |
0xF6 |
Adresë Sajti Onion e Pavlefshme |
Adresa e dhënë për sajtin Onion është e pavlefshme. Ju lutemi, kontrolloni nëse e dhatë saktë. |
0xF7 |
Mbaroi Koha Për Krijim Qarku Sajti Onion |
S’u arrit të bëhej lidhja me sajtin Onion, mundet për shkak të një lidhje të dobët rrjeti. |
DIAGNOSTIKIM
Nëse s’kapni dot shërbimin Onion që po kërkoni, sigurohuni se keni dhënë saktë adresën Onion: qoftë edhe një gabim i vockël do ta pengojë Shfletuesin Tor prej të qenit në gjendje të mbërrijë te sajti.
Nëse po provoni të përdorni një shërbim Onion 16 shenjashr (“Formati V2”, më i shkurtri), kjo lloj adrese s’funksionon më në rrjetin e sotëm Tor.
Mundeni edhe të siguroheni se jeni në gjendje të përdorni shërbime të tjera Onion, duke u lidhur me shërbimin Onion të DuckDuckGo-së.
Nëse ende s’jeni në gjendje të lidheni me shërbimin Onion, pasi verifikuat adresën, ju lutemi, riprovoni më vonë. Mund të ketë një problem të përkohshëm lidhjeje, ose operatorët e sajtit mund t’i kenë lejuar sajtit të shkëputet nga linja, pa paralajmëruar.