JAVASCRIPT

JavaScript-i është një gjuhë programimi që sajtet e përdorin për të ofruar elementë të ndryshëm ndërveprues, bie fjala, video, animacion, audio dhe rrjedha kohore gjendjesh. Mjerisht, JavaScript-i mundet gjithashtu të lejojë sulme ndaj sigurisë së shfletuesit, çka mund të shpjerë në humbje të anonimizimit.

Shfletuesi Tor përfshin një shtesë të quajtur NoScript. Gjendet te “Shtesa dhe tema”, te menuja hamburger (≡). Gjeni shtesën NoScript dhe klikoni mbi të për hapur një panel prej nga mund të përshtatni rregullimet e saj.

Te paneli, në krah të butonit Panel, përzgjidhni “Shfaqe”. Kjo do të shfaqë butonin NoScript button në të djathtë të shtyllës së adresave të shfletuesit. Ky buton ju bën të mundur të administroni JavaScript-in dhe të tjerë programthe në faqe web, duke ju lejuar të kontrolloni individualisht ekzekutimin, ose bllokimin tërësisht të tyre.

Përdoruesit që kërkojnë doemos një shkallë të lartë sigurie në shfletimin e tyre, duhet ta caktojnë Shkallën e Sigurisë të Shfletuesit Tor si “Më e sigurt” (çka çaktivizon JavaScript-in për sajte jo-HTTPS), ose “Më e sigurta” (që e bën këtë për krejt sajtet). Por, çaktivizimi i JavaScript-it do të pengojë mjaft sajte të shfaqen si duhet, ndaj parazgjedhje e Shfletuesit Tor është të lejojë krejt sajtet të xhirojnë programthe nën mënyrën “Standarde”.

SHTESA SHFLETUESI

Shfletuesi Tor bazohet në Firefox-in dhe çfarëdo shtesash apo temash grafike shfletuesi që janë të përputhshme me Firefox-in, mund të instalohen edhe në Shfletuesin Tor.

Megjithatë, të vetmet shtesa që janë testuar për përdorim me Shfletuesin Tor janë ato të përfshira si parazgjedhje. Instalimi i çfarëdo shtese tjetër shfletuesi mund të dëmtojë anë të Shfletuesit Tor, ose të shkaktojë probleme edhe më serioze që prekin privatësinë dhe sigurinë tuaj. Shkurajohet me forcë instalimi i shtesave të tjera, dhe Projekti Tor s’do të ofrojë asistencë për këto formësime.

FLASH PLAYER

Flash-i qe një software multimedia i përdorur nga sajtet për të shfaqur video dhe të tjerë elementë ndërveprues, fjala vjen, lojëra. Qe çaktivizuar, si parazgjedhje, në Shfletuesin Tor, ngaqë mundej të nxirrte zbuluar vendndodhjen tuaj të njëmendtë dhe adresën tuaj IP. Shfletuesi Tor nuk mbulon më Flash-in dhe s’mund të aktivizohet.

Shumica e funksioneve të Flash-it janë zëvendësuar nga standardi HTML5, që varet shumë nga JavaScript-i. Platforma videosh, të tilla si YouTube dhe Vimeo kanë kaluar në HTML5 dhe nuk përdorin më Flash-in.