Shfletuesi Tor për Android

Shfletuesi Tor për Android është i vetmi shfletues zyrtar për celular i mbuluar dhe i zhvilluar nga Projekti Tor. Është si Shfletuesi Tor për desktop, por për pajisjen tuaj celulare Android. Disa nga veçoritë e vyera të Shfletuesit Tor për Android përfshijnë: ulje e gjurmimit nga sajti në sajt, mbrojtje kundër survejimit, rezistencë kundër profilizimit përmes shfletuesit dhe anashkalim censurimi.

SHKARKIM DHE INSTALIM

Ekziston Shfletuesi Tor për Android dhe Shfletuesi Tor për Android (alfa). Përdoruesit jo teknikë duhet të marrin Shfletuesin Tor për Android, ngaqë ky është i qëndrueshëm dhe më pak pre e gabimeve. Shfletuesi Tor për Android mund të kihet prej Play Store, F-droid dhe sajtit të Projektit Tor. Është me shumë rrezik të shkarkohet Shfletuesi Tor jashtë këtyre tre platformave.

Google Play

Shfletuesin Tor për Android mund ta instaloni prej Google Play Store.

F-Droid

Projekti Guardian e jep Shfletuesin Tor për Android në depon e tij F-Droid. Nëse parapëlqeni instalimin e aplikacionit që nga F-Droid, ju lutemi, ndiqni këto hapa:

  1. Instaloni aplikacionin F-Droid në pajisjen tuaj Android, që nga sajti F-droid.

  2. Pas instalimit të F-Droid-it, hapni aplikacionin.

  3. Në cepin e poshtëm djathtas, hapni “Rregullime”.

  4. Nën ndarjen “Aplikacionet e Mia”, hapni Depo.

  5. Aktivizoni “Hedhje Zyrtare Në Qarkullim Nga Projekti Guardian”.

  6. Tani F-Droid shkarkon listën e aplikacioneve prej depos së Projektit Guardian (Shënim: kjo mund të dojë ca minuta).

  7. Prekni butonin Mbrapsht në cepin e sipërm djathtas.

  8. Hapni “Më të rejat” në cepin e poshtëm majtas.

  9. Hapni skenën e kërkimeve duke prekur thjerrën zmadhuese në anën e poshtme djathtas.

  10. Kërkoni për “Shfletues Tor për Android”.

  11. Hapni përfundimin e kërkimit për “Projekti Tor” dhe instalojeni.

Sajti i Projektit Tor

Shfletuesin Tor për Android mund ta merrni edhe duke shkarkuar dhe instaluar paketën apk prej sajtit të Projektit Tor.

XHIRIMI I SHFLETUESIT TOR PËR ANDROID PËR HERË TË PARË

Kur xhironi për herë të parë Shfletuesin Tor, do të shihni mundësinë për t’u lidhur drejtpërsëdrejti me rrjetin Tor, ose për ta formësuar Shfletuesin Tor për lidhjen tuaj përmes ikonës së rregullimeve.

Lidhu

Lidhuni me Shfletuesin Tor për Android

Në shumicën e rasteve, zgjedhja e “Lidhu” do t’ju lejojë të lidheni me rrjetin Tor pa ndonjë formësim të mëtejshëm. Pasi të klikohet, në fund të ekranit do të shfaqen fraza që ndryshojnë, çka tregojnë ecurinë e lidhjes me Tor-in. Nëse jeni në një lidhje relativisht të shpejtë, por kjo shtyllë duket të ketë ngecur në një farë pike, për ndihmë se si të zgjidhet problemi, shihni faqen Diganostikim.

Formësojeni

Formësoni Shfletuesin Tor për Android

Nëse e dini se lidhja juaj censurohet, duhet të përzgjidhni ikonën e rregullimeve. Shfletuesi Tor do t’ju shpjerë përmes një vargu mundësish formësimi. Skena e parë do t’ju tregojë rreth gjendjes së Rrjetit Tor dhe do t’ju japë mundësinë të formësoni një Urë (“Formësoni Urë”). Nëse e dini se lidhja juaj censurohet, apo provuat dhe dështuat të lidheni me rrjetin Tor dhe s’funksionoi zgjidhje tjetër, prekni mbi “Formësoni Urë”. Do të kaloheni te skena e Anashkalimeve për të formësuar një transport shtojcë.

ANASHKALIM

Reletë ura janë rele Tor që nuk paraqiten te lista publike Tor. Urat janë të dobishme për përdorues Tor nën regjime shtypëse dhe për njerëz që duan një shtresë ekstra sigurie, ngaqë janë në merak se dikush do të kuptojë që po lidhen me një adresë IP publike releje Tor-i.

Për të përdorur një transport shtojcë, klikoni mbi ikonën e rregullimeve, kur Shfletuesi Tor niset për herë të parë. Skena e parë ju tregon mbi gjendjen e rrjetit Tor. Prekni mbi “Formësoni Urë” që të formësoni një urë.

Internet i censuruar në Shfletues Tor për Android

Skena pasuese ju jep mundësinë të përdorni ose një urë të brendshme, ose një urë vetjake. Me mundësinë “Përdorni një urë”, do të keni këto tre mundësi: “obfs4”, “meek-azure” dhe “snowflake”.

Përzgjidhni një urë te Shfletuesi Tor për Android

U përzgjodh një urë te Shfletuesi Tor për Android

Nëse zgjidhni mundësinë “Me dhënie Ure që di”, do t’ju duhet të jepni një adresë ure.

Dhënie e një ure në Shfletuesin Tor për Android

Dhënie adresash ure në Shfletuesin Tor për Android

ADMINISTRIM IDENTITETESH

Identitet i Ri

Identitet i ri në Shfletuesin Tor për Android

Kur Shfletuesi Tor punon, mund ta shihni këtë te paneli i njoftimeve të pajisjes tuaj, pasi ta zgjeroni, tok me butonin “IDENTIT I RI”. Prekja mbi këtë buton do t’ju japë një identitet të ri. Ndryshe nga Shfletuesi Tor për Desktop, butoni “IDENTITET I RI” në Shfletuesin Tor për Android nuk pengon që të bëhet lidhja mes veprimtarisë pasuese të shfletuesit me çka po bënit më parë. Përzgjedhja e tij vetëm sa ndryshon qarkun tuaj Tor.

RREGULLIME SIGURIE

Rregullime sigurie dhe rrëshqitës sigurie te Shfletuesi Tor për Android

Rregullimet e sigurisë çaktivizojnë disa veçori web që mund të përdoren për të komprometuar sigurinë dhe anonimitetin tuaj. Shfletuesi Tor për Android furnizon po ato tre shkallë sigurie që janë të passhme në desktop. Shkallën e sigurisë mund ta ndryshoni duke ndjekur hapat e dhënë:

  • Prekni butonin 3 pika vertikale te shtylla e URL-ve.
  • Rrëshqitni për poshtë dhe prekni “Rregullime Sigurie”.
  • Tani mund të përzgjidhni një mundësi, pra, Standarde, Më të Sigurt, ose Më e Sigurta.

PËRDITËSIM

Shfletuesi Tor duhet mbajtur i përditësuar gjithë kohën. Nëse vazhdoni të përdorni një version të vjetruar të programit, mund të jeni i pambrojtur kundrejt të metash serioze sigurie që komprometojnë privatësinë dhe anonimitetin tuaj. Shfletuesin Tor mund ta përditësoni automatikisht, ose dorazi.

Përditësim i automatizuar i Shfletuesit Tor për Android

Kjo metodë merr të mirëqenë që keni të instaluar në pajisjen tuaj celulare ose Google Play, ose F-droid.

Google Play

Përditësim i Shfletuesit Tor për Android në Google Play

  • Hapni aplikacionin Google Play Store.
  • Në cepin e sipërm, prekni ikonën e profilit.
  • Prekni mbi “Administroni aplikacione dhe pajisje”.
  • Prekni mbi skedën “Administroni”.
  • Prekni mbi “Ka përditësime
  • Prekni mbi Shfletuesin Tor për Android që nga lista e aplikacioneve që duhen përditësuar.
  • Prekni mbi “Përditësoje”.
F-Droid

Përditësim i Shfletuesit Tor për Android në F-Droid

Prekni mbi “Rregullime”, mandej kaloni te “Administroni aplikacione të instaluar”. Te skena pasuese, përzgjidhni Shfletuesin Tor dhe së fundi prekni mbi butonin “Përditësoje”.

Përditësim dorazi i Shfletuesit Tor për Android

Vizitoni sajtin e Projektit Tor dhe shkarkoni një kopje të hedhjes së fundit në qarkullim të Shfletuesit Tor, mandej instalojeni si më parë. Në shumicën e rasteve, ky version i fundit i Shfletuesit Tor do të instalohet përmbi versionin e vjetër, duke përmirësuar kështu shfletuesin. Nëse bërja e kësaj nuk arrin të përditësojë shfletuesin, mund t’ju duhet të çinstaloni Shfletuesin Tor, përpara se ta riinstaloni. Me Shfletuesin Tor të mbyllur, hiqeni prej sistemit tuaj duke e çinstaluar përmes përdorimit të rregullimeve të pajisjes tuaj. Në varësi të markës së pajisjes tuaj celulare, kaloni te Rregullime > Aplikacione, mandej përzgjidhni Shfletues Tor dhe prekni mbi butonin “Çinstaloje”. Më pas, shkarkoni hedhjen më të re në qarkullim të Shfletuesit Tor dhe instalojeni.

ÇINSTALIM

Shfletuesi Tor për Android mund të çinstalohet drejtpërdrejt nga F-droid, Google Play ose nga rregullimet për aplikacione të pajisjes tuaj celulare.

Google Play

Çinstalim i Shfletuesit Tor për Android në Google Play

  • Hapni aplikacionin Google Play Store.
  • Në cepin e sipërm, prekni ikonën e profilit.
  • Prekni mbi “Administroni aplikacione dhe pajisje”.
  • Prekni mbi skedën “Administroni”.
  • Prekni mbi Shfletuesin Tor për Android që nga lista e aplikacioneve të instaluar në pajisjen tuaj.
  • Prekni mbi “Çinstaloje”.

F-Droid

Çinstalim i Shfletuesit Tor për Android në F-Droid

Prekni mbi “Rregullime”, mandej kaloni te “Administroni aplikacione të instaluar”. Te skena pasuese, përzgjidhni Shfletuesin Tor dhe së fundi prekni mbi butonin “Çinstaloje”.

Rregullime aplikacionesh pajisjeje celulare

Çinstalim i Shfletuesit Tor për Android duke përdorur rregullimet e pajisjes për aplikacionet

Në varësi të markës së pajisjes tuaj celulare, kaloni te Rregullime > Aplikacione, mandej përzgjidhni Shfletues Tor dhe prekni mbi butonin “Çinstaloje”.

DIAGNOSTIKIM

Shihni Regjistrat Tor

Shihni regjistra Tor në Shfletuesin Tor për Android

Që të shihni regjistrat tuaj Tor:

  1. Nisni Shfletuesin Tor për Android dhe prekni mbi “Lidhuni”.
  2. Gjatë procesit të nisjes, fërkojeni nga e djathta në të majtë, për të parë regjistrat. (Shënim: Si parazgjedhje, aftësia për të bërë foto ekrani të regjistrave Tor është e çaktivizuar në Shfletuesin Tor për Android). #41195

Nëse doni të ndani me ne regjistrat e gabimeve, mund të bëni një foto ekrani të tyre. Si parazgjedhje, fotot e ekranit janë të çaktivizuara në Shfletuesin Tor, por mund t’i aktivizoni. Për ta bërë këtë, ju lutemi, ndiqni këto hapa:

  • Prekni butonin e menusë (në fund të skenës në anën e djathtë në krah të shtyllës së adresave, tre pikat vertikale).
  • Mandej prekni “Rregullime”.
  • Kaloni te pjesa “Të mëtejshme”.
  • Aktivizoni “Lejo foto ekrani”.

Për të diagnostikuar disa nga problemet më të rëndomta, ju lutemi, referojuni zërit përkatës te Portali i Asistencës.

ÇËSHTJE TË NJOHURA

Aktualisht, ka disa veçori që nuk i ka Shfletuesi Tor për Android, por që janë të përdorshme në Shfletuesin Tor për desktop.

  • S’mund të shihni qarkun tuaj Tor. #41234
  • Shfletuesi Tor për Android nuk lidhet, kur kalohet te Karta SD. #31814
  • S’bëni dot foto ekrani, teksa përdorni Shfletuesin Tor për Android. #27987
  • S’hapni dot adresa Onion që lypin Mirëfilltësim Klienti #31672

Më tepër rreth Tor-it në pajisje celulare

Orfox

Orfox-i u hodh në qarkullim më 2015 nga Projekti Guardian, me synimin për t’u dhënë përdoruesve të Android-it një mënyrë për të shfletuar në internet përmes Tor-i. Përgjatë tre vjetëve pasues, Orfox-i vazhdoi të përmirësohej dhe u bë një rrugë popullore për njerëzit, për të shfletuar në internet me më tepër privatësi se sa shfletuesit standardë dhe Orfox-i qe kyç në ndihmën e njerëzve për të anashkaluar censurimin dhe për të përdorur sajte të bllokuar dhe burime kritike. Më 2019-n, Orfox-it iu la lamtumira, pasi u hodh në qarkullim Shfletuesi zyrtar Tor për Android.

Orbot

Orbot-i është një aplikacion i lirë ndërmjetësi që fuqizon aplikacionet e tjera të përdorin rrjetin Tor. Orbot-i përdor Tor-in për të fshehtëzuar trafikun tuaj Internet. Mandej mund ta përdorni me aplikacione të tjera të instaluar në pajisjen tuaj celulare, për të anashkaluar censurimin dhe mbrojtur kundër survejimit. Orbot-i mund të shkarkohet dhe instalohet nga Google Play. Shihni portalin tonë të Asistencës për të mësuar nëse ju duhen që të dy, Shfletuesi Tor për Android dhe Orbot, apo vetëm një prej tyre.

Shfletues Tor për iOS

S’ka Shfletues Tor për iOS. Rekomandojmë një aplikacion për iOS të quajtur Onion Browser, i cili është me burim të hapët, përdor rrugëzim Tor dhe zhvillohet nga dikush që punon nga afër me Projektin Tor. Por, Apple kërkon që shfletuesit në iOS të përdorin diçka të quajtur Webkit, çka e pengon Onion Browser-in të ketë të njëjta mbrojtje privatësie si Shfletuesi Tor.

Mësoni më tepër rreth Onion Browser. Shkarkojeni Onion Browser që nga App Store.

Shfletues Tor për Windows Phone

Aktualisht nuk ka metodë të mbuluar prej nesh për xhirim Tor-i në versione të vjetër të Windows Phones, por për rastin e telefonave me markën Microsoft apo të promovuar nga ajo, mund të ndiqen të njëjtët hapa te Shfletuesi Tor për Android.