Do të duhej të ishit në gjendje të nisnit shfletim duke përdorur Shfletuesin Tor pak pas xhirimit të programit dhe duke klikuar mbi butonin “Lidhu”, nëse po e përdorni për herë të parë.
Nëse klikoni mbi “Testoje”, Asistenti i Lidhjeve ju informon mbi gjendjen e lidhjes tuaj Internet.
Shihni Lidhjen tuaj Internet, nëse thotë “Jo në linjë”. Nëse s’është vendosur lidhja juaj me Rrjetin Tor dhe lexohet “Jo i Lidhur”, mund të jenë të dobishëm hapat vijues.
NDREQJE TË SHPEJTA
Nëse Shfletuesi Tor nuk lidhet, mund të ketë një zgjidhje të thjeshtë.
Provoni secilën nga sa vijon:
- Ora e kompjuterit tuaj duhet të jetë ujdisur saktë, ose Tor-i s’do të jetë në gjendje të lidhet.
- Sigurohuni se nuk ka instancë tjetër të Shfletuesit Tor, apo instancë të Tor-it në xhirim e sipër në sistemin tuaj.
Nëse s’jeni i sigurt nëse po xhiron apo jo Shfletues Tor, rinisni kompjuterin tuaj.
- Sigurohuni se xhirimin e Tor-it nuk po e pengon çfarëdo programi antivirus që keni instaluar.
Mund t’ju duhet të shihni dokumentimin e programit tuaj antivirus, nëse nuk dini si ta bëni këtë.
- Çaktivizoni përkohësisht firewall-in tuaj.
- Nëse Shfletuesi Tor funksiononte më parë dhe s’funksionon tani, sistemi juaj mund të ketë kaluar në letargji.
Një rinisje e sistemit tuaj do ta zgjidhë këtë problem.
- Fshijeni Shfletuesin Tor dhe instalojeni sërish.
Nëse bëhet fjalë për përditësim, mos mbishkruani thjesht kartelat e Shfletuesit tuaj Tor të mëparshëm; garantoni që të jenë fshirë plotësisht më parë.
SHIHNI REGJISTRAT TOR
Në shumicën e rasteve, hedhja një sy regjistrave të Tor-it mund të jetë e dobishme për diagnostikimin e problemeve.
Nëse keni problem të lidheni, mund të shfaqet një mesazh gabimi dhe mund të përzgjidhni mundësinë “kopjoje regjistrin Tor në të papastër”.
Mandej ngjiteni regjistrin Tor në një kartelë tekst apo tjetër lloj dokumenti.
Nëse s’e shihni këtë mundësi dhe e keni të hapur Shfletuesin Tor, mund të kaloni te menuja hamburger (“≡”), mandej të klikoni mbi “Rregullime” dhe së fundi mbi “Lidhje”, te anështylla.
Në fund të faqes, në krah të tekstit “Shihni regjistrat e Tor-it”, klikoni mbi butonin “Shihni Regjistra…”.
Ndryshe, në GNU/Linux, që të shihni regjistrat drejt e në terminal, kaloni te drejtoria e Shfletuesit Tor dhe niseni Shfletuesin Tor që nga rreshti i urdhrave, duke dhënë:
./start-tor-browser.desktop --verbose
Ose, që të ruhen regjistrat në një kartelë (parazgjedhje: tor-browser.log):
./start-tor-browser.desktop --log [file]
Më tepër hollësi për këtë mund të gjenden te Portali i Asistencës.
A ËSHTË E CENSURUAR LIDHJA JUAJ?
Nëse ende s’lidheni dot, Furnizuesi i Shërbimit tuaj Internet mund të jetë duke censuruar lidhjet me rrjetin Tor.
Për zgjidhje të mundshme lexoni ndarjen Anashkalim.
ÇËSHTJE TË NJOHURA
Shfletuesi Tor është nën zhvillim të pandërprerë dhe disa çështje janë të ditura, por ende të pazgjidhura.
Ju lutemi, shihni te faqja Probleme të Ditura për të parë nëse problemi që po hasni është parashtruar tashmë atje.