Hyrja e drejtpërdrejtë te rrjeti Tor ndonjëherë mund të jetë e bllokuar nga Furnizuesi juaj i Shërbimit Internet, ose nga qeveria juaj. Shfletuesi Tor përmban disa mjete anashkalimi si rrugëzgjidhje ndaj këtyre bllokimeve. Këto mjete quhen “transporte shtojcë”.

LLOJE TRANSPORTESH SHTOJCË

Aktualisht ka të gatshëm katër transporte shtojcë, por po zhvillohen më tepër.

obfs4 obfs4 e bën trafikun Tor të duket kuturu dhe u pengon gjithashtu censorëve të gjejnë ura duke skanuar Internetin. Urat obfs4 ka më pak gjasa të bllokohen se sa paraardhëset e tyre, urat obfs3.
meek Transportet meek bëjnë të duket sikur po shfletoni një sajt të njohur, në vend se po përdorni Tor-in. meek-azure bën të duket sikur po përdorni një sajt Microsoft.
Snowflake Snowflake-u e kalon lidhjen tuaj përmes ndërmjetësish të mbajtur në punë nga vullnetarë, për ta bërë të duket sikur po bëni një thirrje me video, në vend të përdorimit të Tor-it.
WebTunnel WebTunnel-i e maslon lidhjen tuaj me Tor-in, duke e bërë të duket sikur po e vizitoni një sajt përmes HTTPS-s.

PËRDORIM TRANSPORTESH SHTOJCË

Për të përdorur një transport shtojcë, klikoni mbi “Formësoni Lidhje”, kur Shfletuesi Tor niset për herë të parë. Nën ndarjen “Ura”, gjeni mundësinë “Zgjidhni një nga urat e brendshme të Shfletuesit Tor” dhe klikoni mbi mundësinë “Përzgjidhni një Urë të Brendshme”. Prej menusë, përzgjidhni cilindo transport shtojcë që do të donit të përdoret.

Pasi të keni përzgjedhur transportin shtojcë, rrëshqitni sipër dhe klikoni mbi “Lidhu”, që të ruhen rregullimet tuaja.

Ose, nëse e keni Shfletuesin Tor në funksionim, klikoni mbi “Rregullime” te menuja hamburger (≡) dhe mandej mbi “Lidhje”, te anështylla. Nën ndarjen “Ura”, gjeni mundësinë “Zgjidhni një nga urat e brendshme të Shfletuesit Tor” dhe klikoni mbi mundësinë “Përzgjidhni një Urë të Brendshme”. Prej menusë përzgjidhni cilindo transport shtojcë që do të donit të përdoret. Rregullimet tuaja do të ruhen vetvetiu, sapo të mbyllni skedën.

Formësoni ura të brendshme

CILIN TRANSPORT DUHET TË PËRDOR?

Secili prej transporteve të radhitur te menuja e Urës Tor funksionon në mënyrë të ndryshme nga tjetri dhe efikasitetit i tyre varet nga rrethanat tuaja individuale.

Nëse po rrekeni për herë të parë të anashkaloni një lidhje të bllokuar, do të duhej të provonit transporte të ndryshëm: obfs4, snowflake, ose meek-azure.

Nëse i provoni të tëra këto mundësi dhe asnjëra s’ju lidh në internet, do t’ju duhet të kërkoni një urë ose të jepni dorazi adresa urash.

Përdoruesve në Kinë ka gjasa t’u duhet të lidhen me një urë obfs4 të patreguar diku. Lidhuni me Robotin tonë Telegram @GetBridgesBot dhe shtypni /bridges. Ose dërgoni një email te frontdesk@torproject.org me togfjalëshin “private bridge cn” te subjekti i email-it. Nëse po lidheni nga tjetër vend, ju lutemi, mos harroni të përfshini te subjekti i email-it vendin dhe kodin për vendin tuaj.

Për të mësuar se ç’janë urat dhe se si të merren të tilla, lexoni ndarjen Ura.