Shërbimet Onion (njohur dikur si “shërbime të fshehur”) janë shërbime (bie fjala, sajte) tek të cilët mund të hyhet vetëm përmes rrjetit Tor.

Shërbimet Onion ofrojnë disa përparësi kundrejt shërbimeve të zakonshëm në internetin joprivat:

  • Vendndodhja dhe adresa IP e shërbimeve Onion janë të fshehura, duke e bërë të vështirë për kundërshtarët të censurojnë apo të identifikojnë operatorët e tij.
  • Krejt trafiku mes përdoruesish të Tor-it dhe shërbimesh Onion është i fshehtëzuar skaj-më-skaj, ndaj nuk ju duhet të vrisni mendjen rreth lidhjes përmes HTTPS-je.
  • Adresa e një shërbimi Onion prodhohet automatikisht, ndaj operatorëve s’u duhet të blejnë një emër përkatësie; URL-ja me zgjatimin .onion e ndihmon gjithashtu Tor-in të garantojë se është bërë lidhje me vendndodhjen e duhur dhe se te lidhja nuk po fut hundët njeri.

SI TË PËRDORET NJË SHËRBIM ONION

Si me cilindo sajt tjetër, do t’ju duhet të dini adresën e një shërbimi Onion, që të mund të lidheni me të. Një adresë Onion është një varg prej 56 shkronjash dhe numrash, ndjekur nga “.onion.

Kur hyni në një sajt që përdor një shërbim Onion, Shfletuesi Tor do të shfaqë te shtylla e URL-ve një ikonë të vockël qepujke, për të treguar gjendjen e lidhjes tuaj: e siguruar dhe duke përdorur një shërbim Onion. Duke vëzhgua te Shfaqje Qarku, mundeni të mësoni më tepër rreth sajtit Onion që po vizitoni.

Një tjetër rrugë për të mësuar rreth një sajti Onion është në ka sendërtuar apo jo përgjegjësi i sajtit një veçori të quajtur Onion-Location. Onion-Location është një krye HTTP jo standarde, që sajtet mund ta përdorin për të bërë të ditur sendërtimin e tyre Onion. Nëse sajti që po vizitoni ka një version Onion të sajtit, te shtylla e URL-ve të Shfletuesit Tor do të shfaqet një kokërr manushaqe sugjerimi, ku shfaqet “ka .onion”. Kur klikoni mbi “ka .onion”, sajti do të ringarkohet dhe ridrejtohet te versioni Onion.

Onion-Location

Për t’i dhënë përparësi versionit Onion të një sajti, mund të aktivizoni ridrejtime të automatizuara Onion-Location. Klikoni te menuja hamburger (≡), kaloni te Parapëlqimet (ose Mundësi, nën Windows), klikoni mbi Privatësi & Siguri dhe te ndarja Shërbime Onion shihni për zërin “Jepu përparësi sajteve .onion, kur dihen” dhe i vini shenjë mundësisë “Përherë”. Ose, nëse jeni duke xhiruar tashmë Shfletuesin Tor, mund të kopjoni dhe ngjitni këtë varg në një skedë të re: about:preferences#privacy dhe të ndryshoni këtë rregullim.

MIRËFILLTËSIM SHËRBIMI ONION

Një shërbim Onion me mirëfilltësim është një shërbim i ngjashëm me një sajt Onion që lyp që klienti të japë një token mirëfilltësimi, para se të hyjë te shërbimi. Si një përdorues i Tor-it, mund ta bëni mirëfilltësimin e vetes drejt e te Shfletuesi Tor. Që të mund të përdorni këtë shërbim, do t’ju duhet kredenciale hyrjeje prej operatorit të shërbimit Onion. Kur hyhet në një shërbim Onion me mirëfilltësim, Shfletuesi Tor do të shfaqë te shtylla e URL-ve një ikonë çelësi të vockël gri, shoqëruar nga një ndihmëz. Jepni kyçin tuaj privat të vlefshëm te fusha përkatëse.

Autorizim Klienti

GABIME SHËRBIMESH ONION

Nëse s’lidheni dot me një sajt Onion, Shfletuesi Tor do të shfaqë një mesazh specifik gabimi për t’ju bërë me dije pse s’hyhet dot te sajti. Gabime mund të ndodhin në shtresa të ndryshme: gabime klienti, gabime rrjeti, ose gabime shërbimi. Disa nga këto gabime mund të ndreqen duke ndjekur ndarjen Diagnostikim. Tabela më poshtë shfaq krejt gabimet e mundshme dhe ç’veprime duhet të ndërmerrni për të zgjidhur problemin.

Kod Titull Gabimi Përshkrim i Shkurtër
0xF0 S’u Gjet Sajt Onion Shkaku më me shumë gjasa është që sajti Onion të jetë jashtë pune. Lidhuni me përgjegjësin e sajtit Onion.
0xF1 Sajti Onion S’kapet Dot Sajti Onion s’kapet dot për shkak të një gabimi të brendshëm.
0xF2 Sajti Onion Është Shkëputur Mundësia më e madhe është që sajti Onion të jetë jo në linjë. Lidhuni me përgjegjësin e sajit Onion.
0xF3 S’arrihet të Lidhet te Sajt Onion Sajti Onion është i zënë, ose rrjeti Tor është i mbingarkuar. Riprovoni më vonë.
0xF4 Sajti Onion Lyp Mirëfilltësim Hyrja te sajti Onion lyp një kyç, por s’u dha ndonjë i tillë.
0xF5 Mirëfilltësimi me Sajtin Onion Dështoi Kyçi i dhënë s’është i saktë, ose është shfuqizuar. Lidhuni me përgjegjësin e sajtit Onion.
0xF6 Adresë Sajti Onion e Pavlefshme Adresa e dhënë për sajtin Onion është e pavlefshme. Ju lutemi, kontrolloni nëse e dhatë saktë.
0xF7 Mbaroi Koha Për Krijim Qarku Sajti Onion S’u arrit të bëhej lidhja me sajtin Onion, mundet për shkak të një lidhje të dobët rrjeti.

DIAGNOSTIKIM

Nëse s’kapni dot shërbimin Onion që po kërkoni, sigurohuni se keni dhënë saktë adresën Onion: qoftë edhe një gabim i vockël do ta pengojë Shfletuesin Tor prej të qenit në gjendje të mbërrijë te sajti.

Nëse ende s’jeni në gjendje të lidheni me shërbimin Onion, pasi verifikuat adresën, ju lutemi, riprovoni më vonë. Mund të ketë një problem të përkohshëm lidhjeje, ose operatorët e sajtit mund t’i kenë lejuar sajtit të shkëputet nga linja, pa paralajmëruar.

Nëse shërbimi Onion ku po përpiqeni të hyni, përbëhet nga një varg prej 16 shenjash (formati V2), kjo lloj adrese po nxirret nga përdorimi.

Mundeni edhe të siguroheni se jeni në gjendje të përdorni shërbime të tjera Onion, duke u lidhur me shërbimin Onion të DuckDuckGo-së.