FLASH PLAYER

Sajtet e videove, bie fjala, Vimeo, përdorin shtojcën Flash Player për të shfaqur lëndë video. Fatkeqësisht, ky software vepron në mënyrë të pavarur nga Shfletuesi Tor dhe s’është e lehtë të bëhet t’u bindet rregullimeve të ndërmjetësit të Shfletuesit Tor. Ndaj mundet të lërë zbuluar vendndodhjen tuaj faktike dhe adresën IP, kundrejt operatorësh sajtesh, apo një vëzhguesi nga jashtë. Për këtë arsye, Flash-i është i çaktivizuar, si parazgjedhje, në Shfletuesin Tor dhe nuk rekomandohet aktivizimi i tij.

Disa sajte video (bie fjala, YouTube) ofrojnë metoda alternative dhënieje videoje, të cilat nuk përdorin Flash-in. Këto metoda mund të jenë të përputhshme me Shfletuesin Tor.

JAVASCRIPT

JavaScript-i është një gjuhë programimi që sajtet e përdorin për të ofruar elementë të ndryshëm ndërveprues, bie fjala, video, animacion, audio dhe rrjedha kohore gjendjesh. Mjerisht, JavaScript-i mundet gjithashtu të lejojë sulme ndaj sigurisë së shfletuesit, çka mund të shpjerë në humbje të anonimizimit.

Shfletuesi Tor përmban një shtesë të quajtur NoScript. Mund të kontrollohet që nga “Parapëlqime” (ose “Mundësi” në Windows) te menuja hamburger (≡), mandej përzgjidhni “Përshtateni” dhe tërhiqeni ikonën “S” sipër djathtas në krye të dritares. NoScript-i ju lejon të kontrolloni JavaScript-in (dhe skripte të tjera) që funksionojnë faqe web individuale, ose ta bllokoni tërësisht.

Përdoruesit që kërkojnë doemos një shkallë të lartë sigurie në shfletimin e tyre duhet ta caktojnë Shkallën e Sigurisë të Shfletuesit të tyre Tor si “Më e sigurt” (çka çaktivizon JavaScript-in për sajte jo-HTTPS) ose “Më e sigurta” (që e bën këtë për krejt sajtet).Por, çaktivizimi i JavaScript-it do të pengojë shfaqen e saktë të mjaft sajteve, ndaj rregullimi parazgjedhje i Shfletuesit Tor është i tillë që të lejojë krejt sajtet të xhirojnë programthe nën mënyrën “Standarde”.

SHTESA SHFLETUESI

Shfletuesi Tor bazohet në Firefox-in dhe çfarëdo shtesash apo temash grafike shfletuesi që janë të përputhshme me Firefox-in, mund të instalohen edhe në Shfletuesin Tor.

Megjithatë, të vetmet shtesa që janë testuar për përdorim me Shfletuesin Tor janë ato të përfshira si parazgjedhje. Instalimi i çfarëdo shtese tjetër shfletuesi mund të dëmtojë anë të Shfletuesit Tor, ose të shkaktojë probleme edhe më serioze që prekin privatësinë dhe sigurinë tuaj. Shkurajohet me forcë instalimi i shtesave të tjera, dhe Projekti Tor s’do të ofrojë asistencë për këto formësime.