Kur lidheni me një sajt, informacion rreth vizitës tuaj munden të regjistrojnë jo vetëm operatorët e atij sajti. Shumica e sajteve tanimë përdorin shërbime të shumta prej palësh të treta, përfshi butona “Më pëlqen” prej rrjetesh shoqërorë, ndjekës për analiza, apo dërgues reklamash dhe krejt këta mund të bëjnë lidhjen e veprimtarisë tuaj nëpër sajte të ndryshëm.

Përdorimi i rrjetit Tor u pengon vëzhguesve të jenë në gjendje të pikasin vendndodhjen dhe adresën tuaj të saktë IP, por edhe pa këtë informacion ata mund të jenë në gjendje të bëjnë lidhjen mes fushash të ndryshme të veprimtarisë tuaj. Për këtë arsye, Shfletuesi Tor përfshin disa veçori shtesë që ju ndihmojnë të kontrolloni se ç’të dhëna mund të lidhen me identitetin tuaj.

SHTYLLA E URL-VE

Shfletuesi Tor si bazë të punës tuaj merr marrëdhënien që keni me sajtin te shtylla e URL-ve. Edhe nëse lidheni me dy sajte të ndryshëm që përdorin për gjurmim të njëjtin shërbim palë të tretë, Shfletuesi Tor do ta detyrojë lëndën të shërbehet përmes dy qarqesh Tor të ndryshëm, kështu që gjurmuesi s’do ta dijë që të dyja lidhjet e patën fillin prej shfletuesit tuaj.

Nga ana tjetër, krejt lidhjet te një adresë e dhënë e një sajti do të kryhen përmes të njëjtit qark Tor, që do të thotë se mund të shfletoni faqe të ndryshme të një sajti në skeda apo dritare të ndara, pa ndonjë humbje funksionesh.

Shfaq diagram qarku nën menunë hollësi sajti

Një diagram të qarkut që Shfletuesi Tor po përdor për skedën e tanishme mund ta shihni te menuja e informacioneve të sajtit, te shtylla e URL-ve.

Te qarku, Roja apo nyja e hyrjes është nyja e parë dhe përzgjidhet automatikisht dhe kuturu nga Tor-i. Po është e ndryshme nga nyjat e tjera te qarku. Për të shmangur tentativa profilizimi, nyja Rojë ndryshohet vetëm pas 2-3 muajsh, ndryshe nga nyjat e tjera, që ndryshojnë për çdo përkatësi të re. Për më tepër hollësi rreth Rojesh, shihni te PBR dhe Portal Asistence.

HYRJE NË LLOGARI PËRMES TOR-I

Edhe pse Shfletuesi Tor është konceptuar të aktivizojë anonimitet tërësor të përdoruesve në internet, mund të ketë situata për të cilat ka kuptim të përdoret Tor-i në sajte që lypin doemos emra përdoruesish, fjalëkalime, ose tjetër informacion identifikues.

Nëse bëni hyrjen në një sajt duke përdorur një shfletues të zakonshëm, gjatë procesit lini gjithashtu zbuluar adresën tuaj IP dhe vendndodhjen gjeografike. E njëjta gjë është shpesh e vërtetë, kur dërgoni një email. Hyrja në rrjetin tuaj shoqëror, ose në llogari email duke përdorur Shfletuesin Tor ju lejon të zgjidhni saktësisht çfarë informacioni u lini zbuluar sajteve që shfletoni. Hyrja duke përdorur Shfletuesin Tor është gjithashtu me dobi nëse sajti që po provoni të kapni censurohet në rrjetin tuaj.

Ka disa pika që duhet t’i keni parasysh, kur bëni hyrjen në një llogari te një sajt përmes Tor-it:

  • Për të hollësi të rëndësishme se si të siguroni lidhjen tuaj, kur bëni hyrje në një llogari, shihni faqen Lidhje të Sigurta.
  • Shfletuesi Tor shpesh e bën lidhjen tuaj të duket sikur po vjen prej një ane krejtësisht tjetër të botës. Disa sajte, bie fjala, bankash apo shërbimesh email, mund ta interpretojnë këtë si një shenjë që llogaria juaj është komprometuar ose shtënë në dorë nga të tjerë dhe të bëjnë daljen tuaj prej saj. Rruga e vetme për ta zgjidhur këtë është të ndiqet procedura e rekomanduar nga sajti për rimarrje llogarie, ose lidhja me operatorët dhe shpjegimi i situatës.

NDRYSHIM IDENTITETESH DHE QARQESH

Identitet i Ri dhe mundësi Qarku të Ri Tor, nën menunë kryesore

Shfletuesi Tor përmban veçoritë “Identitet i Ri” dhe “Qark i Ri Tor për këtë Sajt”. Edhe këto gjenden te menuja hamburger, ose kryesore (≡).

IDENTITET I RI

Kjo mundësi është e dobishme, nëse doni të parandaloni që veprimtaria juaj e mëtejshme me shfletuesin të mund të lidhet me ç’bënit më parë. Përzgjedhja e saj do të mbyllë krejt skedat dhe dritaret tuaja të hapura, do të spastrojë krejt të dhënat private, të tilla si cookies dhe historik shfletimi dhe do të përdorë qarqe të rinj Tor për të gjitha lidhjet. Shfletuesi Tor do t’ju sinjalizojë që krejt veprimtaria dhe shkarkimet do të ndalen, ndaj mbajeni parasysh këtë, përpara se të klikoni mbi “Identitet i Ri”.

Që ta përdorni këtë mundësi, thjesht klikoni mbi “Identitet i Ri” te paneli i Shfletuesit Tor.

QARK I RI TOR PËR KËTË SAJT

Kjo mundësi është e dobishme, nëse releja dalje që po përdorni, s’është në gjendje të lidhet me sajtin që kërkoni, ose s’e ngarkon si duhet atë. Përzgjedhja e saj do të shkaktojë ringarkimin përmes një qarku të ri Tor të skedës apo dritares aktive aktuale. Skeda dhe dritare të tjera të hapura të të njëjtin sajt do të përdorin edhe ato qarkun e ri, pasi të jenë ringarkuar. Kjo mundësi nuk spastron ndonjë të dhënë private, apo të heqë përshoqërim të veprimtarisë tuaj, as nuk prek lidhjet tuaja aktuale te sajte të tjerë.

Këtë mundësi mund ta përdorni edhe që nga shfaqja e qarkut të ri, te menuja e informacioneve të sajtit, te shtylla e URL-ve.